tisdag 12 april 2011

Memorandumi i Hotit dhe Grudës për kancelaritë e perëndimit

Shkodër më 14 nëntor 1918
Ashtu siç dihet tashmë nga të gjithë, fakti i njohur dhe i pamohueshëm historik, se përveç Kosovës (e cila tashti shpalli pavarësinë), edhe mjaft krahina dhe treva të tjera të Shqipërisë kanë pasur fatin e keq dhe tragjik, që në gjatësi të shekujve të fundit, t‘i shkëputeshin padrejtësisht trungut mëmë dhe t‘u liheshin shteteve fqinje. Krahina e Çamërisë në Greqi, me Pargën, Igumenicën, Filatin, Sulin etj., Shkupi, Tetova, Ohri, Struga etj., në Maqedoni, Hoti, Gruda, Trieshi, Tuzi, Ulqini etj., në Mal të Zi, tregojnë më së mirë atë padrejtësi të madhe historike, që Fuqitë e Mëdha bënë në kurriz të tyre për të kënaqur orekset shoviniste të fqinjëve dhe konjunkturat politike të çastit. Por ndryshe nga ç‘i ka paraqitur për dekada me radhë historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të para viteve ‘90, për t‘i zgjidhur këto padrejtësi historike, jo kurdoherë shqiptarët e kanë vënë pushkën në plan të parë. Por, këtë të fundit, ata kanë ditur ta përdorin sa herë që fqinjët nuk kanë dashur të ulen në tryezën e bisedimeve diplomatike, apo nuk u janë bindur vendimeve që kanë marrë Fuqitë e Mëdha për zgjidhjen e këtyre padrejtësive historike që rëndojnë në kurrizin e shqiptarëve prej shekujsh.

Ndërmjet ngjarjeve të shumta që e dëshmojnë më së miri faktin se: shqiptarët e kanë përdorur pushkën aty ku ka ngecur gjuha diplomatike, është ajo e malësorëve të Hotit, Grudës dhe Trieshit, të cilët në vitin 1918, nën organizimin e drejtimin e Patër Anton Harapit, Gjergj Fishtës e Luigj Gurakuqit, i dërguan një memorandum kancelarive më të larta të Uashingtonit, Londrës, Parisit dhe Romës, ku i kërkon që këto treva, të cilat i ishin lënë padrejtësisht Malit të Zi, t‘i ktheheshin sa më parë trungut mëmë, Shqipërisë, së cilës i përkisnin. Lidhur me këtë, bën fjalë shkrimi i mëposhtëm, të cilin e kemi shkëputur nga kujtimet e Patër Anton Harapit, të botuar fillimisht në shtypin periodik të viteve ‘30, nën titullin "Urti dhe burrni ndër banorë të Cemit", dhe më pas në vitin 1959 në Romë, në një libër të veçantë të titulluar "Andrra e Pretashit". Ajo që e bën më shumë interesante këtë ngjarje të vitit 1918, është fakti se historiografia e regjimit komunist të para viteve ‘90, nuk e ka trajtuar fare këtë ngjarje, për arsye se autorët kryesorë të hartimit të atij memorandumi ishin Patër Anton Harapi dhe Padër Gjergj Fishta. 






PËRGATITJA E MALËSORËVE PËR TË HYRË NË SHKODËR 

Të kënaqej syni e zemra, tue pa atë çetë fisnike, ata burra vigaj ka shtati, luaj (luanë, shënimi ynë), kah zemra, të pashëm për dukë, t‘ardhshëm ndër mënyrë, aq të hollë dhe aq të sqyet kah mendja. Fytyra e tyne, njëmend e vrugueme prej vuajtjesh, por jo e rame; të lehtë kah kamba e të zhdërvjellët për punë, nuk e kishin ndie rrugën aspak; të vete mëndja se po argëtohen dhe jo se pushojnë mbas dhetë orëve udhëtim të ba në kambë. Ndejë ashtu nderlikueshëm, por pa u pështjellue, u kishte ra nji hije burrënije e jashtëzakonëshme. Rritë me pushkë në krah, regjë me luftime të padame kundra Shkjaut, ushqye me kujtime të paharrueshme, të të parëvet të vet, bashe be se janë ushtarë të lem, mos me ia pasë lakmia çetë e Maratonës. Përpjekja ndërmjet nesh e atyne, kje dishka nji mend të madhnueshëm, kapërcenin prozën e mozaikun e zakonëshëm të jetës e kapej në naltësinë e nji poezije vërtet idilike. Telat e zemrës së tyne kurrë s‘ishin prekë ma kënaqshëm, ka paraqitshin vetit të realizueme andrrën e vet, si t‘ishte nji punë e njajtë e himja e tyne në Shkodër, e të njitunit e tre bajrakëve me Shqipni. Nuk fliteshin aq me gojë, se me atë kënaqësinë e shpirtit, e cila gufue prej ndiesivet, u ndritëte në sy, ndër byzë e ndër fytyrë, e pëlqyeshm shpërthente ndër tanë lëvizjet e trupit. Si na pritën, si na përshëndetën, si na unjisuen me ne, me atë thalbin e shpirtit të vet, nuk janë punë qi kallxohen; ato veç dihen e provohen, por nuk kanë si çpërshkryen as si ravizohen; janë çasa (çaste), qi kapërcejnë aftësinë e shprehjes dhe hijnë ndër ato lamije simfonike të shpirtit, ku veç shijohen madhnitë e bukurit e jetës, pa mujtë m‘u përfshi. Aty, atë ditë më ra me kundrue (me shiku), ma për s‘afërmit se kurr tanë atë madhnin shpirtnore, tan fisniknin e malësorit shqiptar. Pa vonesë xume të rreshtohemi për me hij në qytet tok e të renduem sa ma hiejshem e ma mirë. Kur qe, ia behe një xhandar e mbas si, katër, pesë tjerë, edhe të madhe na kumtojnë ketë lajm: 

KOMANDANTI FRANCEZ I SHKODRËS: MALËSORË, DORZONI ARMËT 

Urdhni i Komandantit të Shkodrës me hij në qytet pa armë; pushkët do të dorzohen këtu në polici, te Ura e Maxharrit. Me kaq, kuadri i jetës ndërroi ças me ças. Pa çilë gojë kush me folë, si të kishin pasë nji urdhën tjetër të mshehtë, malsorët tanë për njiherë heqin mauzerret krahit, e me to në dorë, ulen e rrijnë aty, pa luejtë vendit. Ai gjest ishte tanë kuptim. Ata ishin të prem mbas ne meshtarësh, por nuk dojshin m‘u koritë. -Si thoni, burra, t‘ia bajmë kësaj pune, qi na leu e pa-pritun? Ashtu un atyne, për me e thye atë monotoni. -Na shkrepi keq, zotni-kështu ata ndejshëm e me gjak të ftohtë. -Jemi gjet edhe ma keq e ma ngusht edhe jemi da me nder; mos të prishet kush, se edhe kësajë, me ndihmën e Zotit, do t‘ia dalim me nderë. -Na, more zotni nuk kemi ra në Shkodër për me u koritë. -Ashtu nisi të flasë Gjo Nika i Hot, n‘emën të gjithëvet. -Kemi kujtue se Shqipnia na pret e na qet, po ashtu si na e duem e kërkojmë me gjith zemër, e pse puna kenka ndryshej, na për pa dekë, nuk e tërnojmë (ndërrojmë), nderën tonë as derën e bajrakëvet: nuk jemi ata qi kthejmë te shpija pa hij në Shkodër, por as në Shkodër nuk hijmë pa nder t‘armëvet. "Asha (pasha), Atë që na ka falë, kortarë kortarë me na ba, burrat e Malsis, nuk kthehen dalë të zhburrnuem. Nuk kemi luftë as degame (sherr), me kënd, duem vetëm të dahemi me nderë; edhe pa ne ka kush me kënë ndër tre bajrakë, por mos kjoftë thanë kurr, qi na për me pshtue vetin, t‘u marrim ftyrën fiseve brez mbas brezi. Bafti i Zotit, se gjithsi të bahet, mirë ka me kenë, der malet të dahen me nderë". Ashtu foli Gjoni me të preme, as s‘e kje kush qi e shtoi nji gjysëm fjale tjetër. Ata kishin qitë cekën për me ba dekan tanë sa ishin, po nuk u duel me hi në Shkodër me armë. Të cilat, në mende të tyne, si ishte marre me i dorzue pa hij në qytet, ashtu ishte nderë për ta me i a dorzue vetë Komandantit, si të kishin dalë para si. Koha nuk pritëte. Shpejtonin punët dhe shpejtonte dielli me prendue. Dahemi m‘anësh na tre meshtarët, edhe, mbasi Komiteti, qi na kishte shty n‘atë rangë, kishte pas përpjekje me mue, dy shoëkt e mij rrijnë aty me malsorë, për me ua tretë mërzin, e mue më thonë të hij në Shkodër vetëm e të përpiqem me pjestarë e Komitetit për me i vue kapak me nder kësaj pune. Dogri mësyj Bashkin, ku ndodheshin Luigj Gurakuqi dhe At Gjergj Fishta. 

AT HARAPI: SHKODRANËT NA LANË VETËM, U MBYLLËN NDËR SHPIA 

Rrugat e qytetit gati ishin vetmue, tallalli lajmote me të madhe anë m‘anë urdhrin e Komandantit me këto fjalë: "Kanë ra do komitë te Ura e Maxharrit; të ruej vedin se cili, se kush t‘u apë bukë e përkrahje ka me kenë i ndëshkuem". Tarabat e dugajve (dyqaneve), krisëshin tue u mbyllë, hij ndera (frika), gjithkujt, secili hiqte të gjindej te shpija e vet s ama parë, për shkado qi të ndodhte. N‘atë rasë më ra me u ndesh rrugës ndër të njoftun e dashamirë; por kush sjellte kryet më njanën anë, kush bante si mos me më njoftë, kush u grahte kambëve, si me pasë punë qi s‘pret, nji me thanë nuk u ndal me fol e me më pvetë për atë ngushticë; (me e pa veten ngushtë), e po, kush dalë ne balkue (ballkon), e kush me gjys dritsorje çilë, ngujua për shpija të veta, rrijshin burrat e Shkodrës e shikojshin për seri se ç‘rrjedhë po marrin ngjarjet. Po a nuk më njifshin mue qytetarët e Shkodrës? Po besa edhe mirë. Po a nuk e dijshin se kush janë ata malsorë e për shka kishin ardhë në Shkodër? Për nji qi patëm ra te Ura e Maxharrit, zani muer dhen nëpër Shkodër, se Hot Grudë e Triepsh kanë ardhë me lyp Shqipninë. Shkodranët me kurreshtë duelin e na ndeshën tuj ba seri më ne, me kund ndo‘i metelik, se na muerën më‘t me këtë Shqipni; frigacakët u strukën mbrendë, tuj ditë se me francez mbrëndë në qytet, lodra e Shqipnis mund të vritëte keq; ata ma të guxueshmët, u interesuan me pvetë, e madje me ardhë mirë, por si bani e duel tallalli, mor jo ndruhej, por ma keq se kur skifteri bje ndër pula, i madh e i vogël u pupcuen e u zhdukën mos me u pa kund fara. Tue e pa vetin ashtu të vetmuam, kah bijshëm nëpër rrugat e qytetit kambët m‘u dridhshin, tuj mendue përgjegjësinë e madhe qi kishim mbi veti, por mbasi çashtja ishte shejte, e asaj pune nuk ia kishim hi pa këshillime fjalë të njerzvet t‘urtë, u graha kambvet e ia graha vetit e thaçë: Edhe në kje i dekun në shpirt Shkodrani, burrat e malvete ende si ka shitue Zana. Shqipnia ka orën çuet!
FISHTA E GURAKUQI TAKOHEN ME KOMANDANTIN FRANCEZ 

Shpirti më kishte ardhë me dalë prej kontrastit të punovet, qi ndesheshin aq mbrapshtë, e ashtu me atë frymë piqem në bashki me Fishtën e Gurakuqin. As vetë nuk e dij shka u thaçë, e si u ankova n‘atë zemërim, vetëm më bjen ndër mend se theksova të madhe kët fjalë: Jeni shqiptarë vetë, e dini se shka don me thanë ndera e armëvet për malsorin tonë! E kuptuan menjiherë randësinë e çështjes, qi duhej marrë me gjak të ftohtë, por me tan kujdesin dhe seriozitetin e mujtun; njajsij më prijnë te Bardy de Fortou, atëhere Komandant i Shkodrës nën pushtimin Françez. Dhamë e murim si dijtëm e mujtëm për me e shty Gjeneralin të tërhjekë urdhnin, tue e sigurue, se himja e malësorëve me armë nuk ishte tjetër veçse nji formalitet, se nuk do të ketë ndoshta për këtë shkak kurrë farë ngatërrese, e se malësorët do të vijshin fill e te ai e do t‘ia dorzojshin armët atij në zyrë. Por kuj me i thanë e me ke me folë? Nuk i hinte në krye kurrsesi nevoja e atij formaliteti të pa të keq e rrezik të bahej gjaku der në gju për kurrgjasend, e ai përveçse nuk kuptonte se çë do me thanë ndera e armëve për Shqiptarë, nuk kishte as interesë, qi Shqiptarët prej andej kufinit të 1914 të çoheshin e të vijoshin në Shkodër për me ba dimostracjion për me ndej me Shqipni. Po, por asi ndodhej para dy Shqiptarëvet, qi e vejshin dy herë atë. Arsyetimi i shtërnguetë i Gurakuqit e fjala e fortë dhe e rrjedhshme e Fishtës do ta bashin të vetën. Dikur Gjeneralit i hini disi në krye se, po të kristen në Shkodër ai revolucion i kotë e i papritun, jo vetëm se ai do të kishte përgjegjësi mbi tana rrjedhimet e parapame e të paparapame, por as vetë nuk do të mund të ishte i sigurt për jetë të vet. 

AT HARAPI: KOMANDANT, MALËSORËT S‘I DORZOJNË ARMËT PA DEKË 

Sjellet e atëhere e lyp garanci. Gurakuqit i ndërroi fytyra; më shikjon pa folë, si të donte me më kallzue se u fitua çashtja; merr fjalën At Fishta, e sjell prej meje, më pvetë, ç‘dorzani mund t‘i japim komandantit se nuk ndodh asnjë lloj pështjellimi e se armët po ia dorzojmë atij në zyrë. Prejse frengisht nuk dij, i lutem t‘i njoftoj Gjeneralit, se dorëzani ma të madhe nuk kam dhanë, veç me ndejë vet aty peng pa luejtë vendi, e me i dhanë me të shkrueme me dorën teme, se po ndodhi çdo ngatërresë sado e vogël e prej anës së malësorëve, un me nëshkrimin tem, pranoj të gjykohem për dekë pa tjetër proçes as gjyq. Bardy de Fortou e merr si një guxim të tepruem deklaratën teme, m‘i ngul syt, si me dashtë me më njoft mirë, edhe pvetë: -Kush je ti? -Jam Frat i Grudës. -Po si mund të xehesh ti me krye për ata koçakë? -Zotni, i njof mirë, e pa droje, lidhem për besë e burrni të tyne. Çfarë të drejtash ke ti mbi ta e ç‘mjete ke për me i ba ashtu të disiplinuem si po thue? -Un nuk kam mbi ta asnjë të drejtë, përveç autoritetit fetar e shpirtnuer, qi nji famullitar ka në famullinë e vet; nuk kam parë as fuqi me i mbajtë në cak e n‘urdhën, por më besojnë e u besoj; si ua kam hatrin, ashtu edhe ata ma kanë mue aq fort, sa jam i sigurtë se për nder të vet, ma parë e bajnë vetën të dekun gjith sa janë, se me pre meshtarin në besë. Zotnija e juej të mos bindet për këtë përpjekje kaq të njimendtë e të afërme ndërmjet meshtarit e malsorit; na me ta zotni rrnojmë e desim, me ta dajmë të mirën e të keqen, deri në kashatë të gojës. Njimend se janë të vorfën e të pashkollë, por janë shqyptarë e besë e burrni i kanë për piri, për ket punë m‘a thotë mëndja se ma i sigurtë jam unë për malësorët të mij, se jeni ju për ushtarët tuj...Bani provë e shifni! Po ma dhatë lejen, due ta shtoj edhe nji fjalë. Gjenerali tuj ba buzën në gaz: Vijo-thotë-se po m‘intereson t‘a dij der në fund atë shka mendon e shka don. -Deshta me thanë, zotni, se asht gabim me kujtue, se malësori i maleve t‘ona asht refraktar as s‘i bindet autoritetit. Fare për kundra: Malsori e mban për nderë të mbajë zakonin e vet në përkim me autoritetin. Malësorët e mij, pra, e kanë për nderë të vijnë këtu te ti e t‘i lenë armët në dorzim, pse ne nuk kemi ardh me të luftue, por kemi ardhë për me të ndesh (për takim), e me të njofto e me kërkue përkrahjen tande. Por dokujdo ne nuk ia dorzojmë armët, pse për Shqiptarë, mos me dorzue armët në rrugë të madhe nji çdo xhandari, asht ligshti. E këta malësorët nuk e barin pa dekë, nji për nji si nji ushtar, qi ka fytyrë e ndërgjegjie, ban dekan, se sa me dorzue pushkën. Malësori ynë asht fisnik e jo kecan, e ktë e ndien në ndërgjegjen e vet, prandej nuk asht për t‘u bind pse nuk e duron turpnimin. Arma, mandej, për ta asht forcë, nder, vlerë e visar; ata i vinë po dhe i shtrohen burrnis e urtis, por dhunës, jo kurr për së gjalli. Megjithse nuk i bahej me besue gjeneralit, kjo ishte për të nji çfaqje jete krejt e re dhe origjinale, prandej, me interes u shty ndër pyetje, ndërroi pozicion ndër fjalë dhe ndër sjellje, e, tek e mbramja, dha lejen t‘u bante simbas kërkesës së parashtruese-merret vesht, -me kondita të nalt-përmënduna.

GJENERALI JEP LEJEN: MALSORËT ME ARMË NË SHKODËR 

Pa frymë nisem e dal te Ura e Maxharrit e u jap malësorëve lajmin e ngushëllueshëm. Lexuesi mund ta marrë vet me mënd përshtypjen e thellë e gëzimin qi përtrini n‘atë çetë kreshnikësh sigurija e nderës s‘armëvet. Sa ndora u vumë rresht e nisemi me hij në qytet; printe kalorija, d.m.th. ata pësëmbëdhetë a njizet vetë qi kishin pasë kual për udhëtim, mandej tjerët rendue për katër tue këndue kangën: Hot e Grudë ishin betua, pa gjak malet mos me i lëshue...Para të gjithëvet printe njani me flamurin e Shqipnis e menjiherë mbas tij vinte nji tjetër me një dërrasë të zezë, në të cilën me germa të zeza ishin shkrue këto fjalë: 

COMME MARQUE DE DEUL LES REFUGIEMS DE HOT ET GRUDA VICTIMES DES ATROCITES DE L‘ENNEMI. Populli i Shkodrës kishte ngelë i habitun. Nji orë para, po ata malësorë me tallall ishin pasë kenë deklarue koçakë të rrezikshëm, e tash po hijshin në qytet me aq madhëni. Në qetësi të plotë, çeta, kur mbërrijti para Bashkis, xu vend e njajsi shpërthei tuj brohoritë; Rrnoftë Shqypnija me Hot, Grudë e Triepsh! Gurakuqi e Fishta kishin gatue nji shkresë frengisht e shqip për t‘ia paraqitë kështu Komandantit kërkesën e tyne. Si u kje lexue shkresa, malësorët nji mbas nji vunë gishtin e vet në të për vërtetim. (Shënim i autorit: Si Gurakuqi e Fishta nuk kjenë të mendimit të përmëndej Triepshi në këtë shkresë, pse Triepshi shkon me kufijt e Kongresit të Berlinit, mësa Hot e Grudë me kufijt e 1914. Tue sigurue kufijt e 1914, shpënesojshim me dalë mandej edhe te kufijt e Kuvendit të Berlinit). Pa vonese drejtohemi te Bardy de Fortou, dorzuem armët, e nëpër fjalën e Gurakuqit e të Fishtës paraqitën kopjen e shkresës së nënshkrueme. Këjo shkresë mandej kje paraqitë në konferencën e Parigjit (Parisit), prej përfaqësuesëvet të Shqipnis e kje shti në Librin e Kuq, prej kah po e nxjerri e po e botoj për dijeni të lexuesëvet. 

MEMORANDUMI I MALËSORËVE PËR KATËR FUQITË E MËDHA 

Shkëlqesës së Tyne. Ministrave të Punëve të Jashtëme 
1. Uashington, 2. Londër, 3. Paris, 4. Romë. 

Ne të nënshenjuemit, përfaqësues të ligjshëm të lagjeve të ndryshme qi përbajnë fiste e Hotit e të Grudës, kemi nderin me i parashtrue vrejtjet dëshmitare të Pushteteve të Mëdha të Kuptimit kërkesën qi vijon, tuj u lutun përvujtnisht qi të ketë mirësin me e marrë në kujdes e me kënaqun dëshiret tona kombëtare. Bota mbarë e çmon se currat e thepisun të Hotit e të Grudës kanë qenë kurdoherë për Shqypnin nji muranë (barrierë) e pa kapërcyeshme për kundër Malit të Zi e se banorët trima të këtyne viseve u janë kundërshtue me armë në dorë turrave (sulmeve), gjithmonë të parreshtun, të Malazezëvet mbrenda tokës shqiptare. E për provë të fjalëve tona asht mjaft qi të lëçisim qëndrimin e përgjaktë qi të parët tanë patën bamun kundër lëshimit të dhunshëm të Fiseve tona Malit të Zi të vendosun prej Kongresit të Berlinit, qëndrim, qi ma në fund i nxjerr në shesh të drejtat tona e i mbushi menden Europës se Hoti e Gruda i duheshin lanë Atdheut tanë, Shqipnis, të cilat qenë shkëputun prej Atdheut shi m‘atë kohë kur ajo konferencë po e krijonte të lirë e mëvete. Populli i viseve tona, qi për doke e zakone, e për gjuhë e gojdhana të veta kombëtare asht fjesht Shqiptar, protestoi rrebtësisht disa herësh kundër tij lëshimit të padrejtë e të dhunshëm, e kur pa se do i shtrohej fuqis e numrit, atëhere parapëlqei ma mirë me u dyndun me të madh e me të vogël, se sa me i u shtrue drejt-thanës së Malit të Zi. Konsujt e Pushtedevet të Mëdha e Ushtritë Ndërkombëtare te Shkodrës kanë qenë dëshmorë të shtrëngimit tragjik, të randë dhe të patregueshëm qi kanë vuejtë rrokull vjetëve 1913-1915 tue e shkuem jetën andej-këndej larg votrave e të sdeshun prej pasunivet të veta: Këto janë pësimet e vajtueshme të fiseve të Hotit e të Grudës. Po tashti kur Pushtedet e Mëdha të Kuptimit të cilat për sa herë, kanë shpallun bujënisht, se kishin rrokë armët për mbrojtjen e lirin kombësivet të vogla, po bahen gati me hedhun themelet e nji paqe të drejtë e të qëndrueshme të mbështetun mbi këto parime fisnike, shpresat tona po ngjallen. Tue pasë besim të plotë se do të kryen dëshirat tona, marrim lejen me ju sjellun drejtësis së tyne tue u lutun përvujtnisht, n‘emën të të drejtave të shenjta të Shqipnis e të parimit të vetvendimit të popujve, qi të kenë mirësinë me venduam qi fiset tona të lidhen prapë me atdhe tonë, Shqipnin, mbasi janë nji pjesë e pandame e saja, si për arsye etnografike e gjeografike, ashtu për gojdhanat e dëshiret kombëtare të banorëvet të vet. Shkodër më 14 nanduer 1918.



PARIA E HOTIT DHE GRUDËS QË FIRMOSËN MEMORANDUMIN 

Deli Meta bajraktar e kryepari i rrethit të Rrapshës Hot 

Tomë Nikolla kryepari i lagjes Gjonaj...........Hot 

Gjekë Uci ...............................Lagje........Hot 

Nikollë Luca.............................Jungji........Hot 

Gjosh Marku...........................Kolçekaj.....Hot 

Nikë Martini.............................Pepaj......... Hot 

Lekë Marku..............................Celaj.........H ot 

Lucë Ula.................................Gjoknikaj..... .Hot 

Marash Doka.............................Ndrekaj......Hot 

Zef Muça................................Vuksanaj.....H ot 

Prelë Dushi..............................Prekaj......... ..Hot 

Prenkë Gjetja............................Lulashpepaj...Ho t

Gjon Ujka...............................Brigje......... ...Hot 

Haxhi Mustafa...........................Nenhelm......Hot 



Lucë Nishi, bajraktar i rrethit Traboinit Hot 

Prelë Keri kryepari i lagjes Arza ...............Hot 

Gjon Ujka.........................Gojçe............Hot 

Sokol Mali........................Dushaj...........Hot 

Nikë Gjeloshi......................Vuksanlekaj.....Hot 

Gjokë Elezi........................Bardhaj...........Hot 

Nikë Gjeloshi......................Nabom............Hot 

Dedë Gjoni.........................Rranxa............Ho t 

Prenkë Zeka........................Cemerr...........Hot 

Gjon Nika.........................Skorraq............Ho t 



Dedë Nika, bajraktar i Grudës 

Pjetër Preka kryepari i rrethit të Rranxës i Sukës Grudë 

Mirash Hasi.....................të Grudës së Poshtëme... 

Dodë Nika........................të Dinoshës.........Grudë 


Lulash Baca.....................Pikala................Gru dë 

Lekë Luli.......................Prifti................. ...Grudë 

Palokë Marku.....................Llofka................Gr udë 

Lucë Gjeloshi....................Bregcem..............G rudë 

Kolë Leka........................Kurreci............... ...Grudë 

Dodë Ujka........................Grimja................ ..Grudë 

Tomë Gjeku.......................Stanaj................ ,Grudë 

Losh Gjeka......................Ulbrunçaj.............. Grudë 

Dodë Preka.......................Kalaj................. ...Grudë 



Tomë Gjoni, kryetar i lagjes Sinishtë................Grudë 

Prelë Doka......................Vulaj................... Grudë 


Gjekë Preloçi....................Nikaj.................. .. Grudë 


Marash Pëllumbi.................Masshkallë..............G rudë 


Prenkë Deda......................Vucok..................G rudë 


Mehmet Murati...................Gjokaj................Gru dë 

Bisho Caku......................Haxhiaj................ Grudë 


Zef Martini.....................Preçaj................ .. Grudë 




Fletorja (gazeta) e Shkodrës "Posta e Shqypnis" e bani publike këtë shkresë menjiherë (23.IX.1918. Nr. 89) e po për këtë punë kje mbyllë me urdhën të komandantit, Bardy de Fortou. 

"Me kaq ia duelme qëllimit e kryem sa ishte në dorën tonë të bajmë për bajrakët e Cemit, e me zemër të kënaqun, drodhëm te shpija". 



MEMORANDUMI I HOTIT DHE GRUDËS PËR KANCELARITË E PERËNDIMIT - . Shkodër më 14 nëntor 1918                                                



                                                 
                                                    

söndag 17 oktober 2010



                                                                Liqeni te Vitoja


                                                           Lumi Cem- Ujvara
                                     Tuzi (një pjesë) me fushën/ana jugore drejtë liqenit

Historia e Malësisë së Madhe

                                                             Tuzi

- Në të kaluaren përfshinte pjesën veri-përëndimore të Shqipërisë veriore që nga Shala deri te Shpella e Berishes në brigjet e lumit Moraça.
Përbëhej nga zona të vogla teritoriale të njohura me emrin male, në të cilat zhvillohej jeta Vuksfisnore.
Ato ishin: Hoti, Sumasit (me vone Grudë), Kelmendi, Kuçi, Kastrati, Shkreli, Triepshi, Koja, Kopliku, Tuzi (si pjese e Grudës).

-Në krye të çdo mali ishte kryekreu, kurse çdo vellazëri kishte kreun (të parin) e vetë. Vepronin edhe pleqët e maleve.
-Toponimi (emrimi) Malesi del nga fjala shqipe MAL-i me kuptim gjeografik dhe teritorial.
-Malesia e Madhe ndahet në zonat bjeshkore (Triepshi, Korita e Hotit, Kelmendi, dhe disa zona te Shkrelit)
-Zonat malore (Koja, Fudnat, nje pjese e Grudës, pjesa e madhe e Hotit, një pjesë e Kastratit dhe Shkrelit)
-Zona fushore (Kopliku, Gruemire, Buz-Uji, një pjesë e Kastratit dhe Hotit, kurse me së shumti fushë ka Gruda - Fusha e Cemit, Dheu i Zi, Vllanë, Vrane, Fusha e Tuzit, Mileshë dhe Dinoshë).

-Cemi (lumi i vetëm në Malesi) e ndanë Malesinë fizikisht në dy pjesë.

-Malet kryesore janë Deçiqi dhe Suka (në Grudë), Bukoviqi dhe Cemeri
(në Hot), Kazhaniku (ne Triepsh), Kapa e Brojës (Kelmend), Mokseti (Kastrat) e tjerë.

-Qëndrat dhe katundet (fshatrat) me të mëdha ishin Tuzi, Vranja, Vllana, Dinosha, Kësheva, Prifti, Pikala, Selishti, Skoraqi, Arza, Drumja, Spija, Vuksalekajt, Kushet e Hotit, Bajza, Kopliku, Gruemirë, Vërmosha, Stjepohi, Nikmarashi e tjerë...

-Në Malësi ka tri klima: e butë-mediterane, malore dhe kontinentale.

-Në të kaluerën e lashte ilire në Malesi jetonte fisi i madh Ilir-Labeatet.
Tokrat malore të Malesisë së sotme quhënin "Malet e Labeateve" (mons labeatis), fusha afër Liqenit të Shkodres është quajtur liqeni i Labeateve (lacus labeatus).

-Vëndbanimet Ilire më të njohura në Malesi janë Meduni, Qytezat (e Dinoshes, Buxes se Triepshit, Sukës së Grudës, Këshevës, Qafës së Kishës, Arzës) pastaj Vuksalekajt, Burgu i Grudës (Dushiq), Samoborri, Cinna te Kopliku etj.

-Në kohët e lashta nëpër Malesi kalonin rrugët shumë të rëndësishme edhe për Europe, siç ishte ajo nga Norona nëpër Dinoshe-Tërgajë-Vërmoshë-Gusi dhe tjetra Noronë-Dinoshë-Tuz-Koplik-Shkodër.

-Mendimtarët botërorë (shumë nga ata) do të cekin se deri me ardhjen e Turqëve, Shqipria veriore, pra edhe Malesia, me kurrgjë nuk do të jetë mbrapa Europes.

-Malesia e Madhe deri me 1476 mbante lidhje të mira dhe të ngushta me Venedikun. Janë të njohura përsonat historik që mbanin qëndrime të tilla dhe mbeshtetëshin në Venedik (Itali) si Anaro Hoti (Hot), Vuksa Gela (Grude), Vuksa Gjeca (Kelmend). Poashtu, deri me atëherë Malesia mbante lidhje edhe me Dinastite e Ballshideve dhe Cernovekaseve (Ballshet dhe Cernojeviqet) të etnosit shqiptarë.

-Me 1479 kur sulltan ishte Muhamedi i dyte (1451-1481) Turqia do të okupoje Malesinë dhe do të formoj nahitë (krahinat): Kuç (me të do të hyjnë edhe Triepshi e Koja), Kelmendi, Hot dhe Zhabjaku.
Gruda (tokrat e Mark dhe Gjon Sumes) do të hyjnë në kuadër të nahisë së Zhabjakut.[/b]

-Vuksa Gela si kryekreu i Grudës do të luftoj kundër turqëve dhe sllavevë.
Gruda do të fitojë dhe do të mbetet mal në vehte. E tërë Malesia do te zhvilloje luftë kundër otomaneve pandërprerje që deri me 1912.
Janë të njohura luftat dhe kryengritjet e viteve: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-12, 1624, 1638, 1652-53, 1668-69 ,1698-99 ,1712, 1732, 1808, 1822, 1832-34, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869, 1910-1912.
Më të njohurit janë 1565-1575 (në Hot e Grudë), 1610-11 (në tërë Malesi), 1638(në Kelmend), 1832-34(Hot-Kastrat), 1883 (në Hote e Grudë), 1869 (Grudë) dhe kryengritja prej 24 mars - 2 gusht 1911.



-Pjesa malore e Malesisë kurrë nuk do të pranoj pushtetin turk dhe nuk do të paguaj taksat dhe tatimet (haraçin).

-Me 1641 kryeprifti i Grudës dhe i tëre Malesisë Karlo Della Mirandella do të organizojë në brigjet e lumit Cem (Tërgaje) besëlidhje në mes maleve dhe do të hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në Prifte të Grudës.
-Turqit do ta ndalojne, siç kanë ndaluar çdo send që ishte përparimtare.
-Malesorët janë të besimit katolik deri me ardhjen e turqëve, atëherë fillon perhapja e besimit islam.


-Kishat kryesore janë: e Grudës (më e vjetra) e Sh'Mehillit në Dinoshë, Arzë, Brigje të Hotit, Triepsh, Selcë, Bajzë, Tuz etj.

-Ndër xhamitë më të vjetra në Malesi janë ajo e Dinoshës, Tuzit, Koplikut dhe Vllanës.

-Personalitetë shumë të njohura që kanë punuar dhe vepruar në Malesi jane:
Karlo Della Mirandella, Leonardo Di Martino (prift dhe shkrimtarë), Pater Gjergj Fishta, Anton Harapi, Marjan Prelaj, Josip Rela (shkrimtare-arbëreshë nga Zara e Dalmacisë).

 -Jeta në Malesi ishte shumë e veshtirë (gjatë pushtetit turk), por ajo, në prëmtime diçka do të lehtësohet me reformat e Sulltanit të vitit 1839 (Hatisherifi i Gjylhanes), dhe me Hatihumajanine vitit 1856, kur në Shkodër do të organizohet Komisioni i bajraqeve (xhibala) me qellim që veziri i Shkodrës më lehtë ta sundoj dhe kontrollojë Malesinë.
-Malesorët do të mbrohen nga sulmet malazeze me 22 prill 1880 (Beteja e Zharnices) ku u dalluan Baca Kurti Gjokaj, Paloke Gjoka Vulaj, Halil Haka Nikaj, kurse diçka më parë në Dinoshë (1863) Smail Martini Ivezaj dhe Om Haku Kajoshaj.

-Me 1880-81 në Vrane, Gruda do të fitoj ushtrinë malazeze dhe përsëri dallohet Smail Martini, bajraktar i grudes.


-Me 1879 Çun Mula në krye të Hotit do të luftoj kundër ushtrisë se veriut të Shkodrës por pa sukses; ushtria turke ishte e fortë.
-Me 1883 dhe 1886 gjyqi ushtarak i sulltanit do të dënojë një numër të madhë të krerëve të Hotit dhe Grudës për shkak se po prishnin përëndorin.
-Me i njohuri nga të dënuarit ishte, patjeter Smail Martini Ivezaj që do të internohet, me krerët e Grudës, në Diari-Bekir (Anadolli-Afrik).
Disa nga krerët e Malesisë do të marrin pjesë edhe në Lidhjen e Prizrenit në qershorë 1878 (Baca Kurti, Çun Mula etj.)


-Me vendimin e Xhibales (komisionit turk për Malesi) 1856 Malesia e Madhe ndahet në dy pjese: Triepshi dhe Koja do të hyjne me kadillukun e Podgoricës, kurse pjesa tjetër e Malesisë: Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati dhe Shkreli mbetën nën ndikimin e Shkodrës.
Me 1876-77 Triepshi, Koja dhe Fudnat fuqitë e mëdha ju dhane Malit të Zi dhe kufiri u vendosë nga Vrana-Ura e Zharnicës-Omerbozhaj-Vorri i Vuksa Gelës (maja e lemuet ne Suke)-Lemaje.

-Me 1887 në Triepsh, kurse me 1888 në Kojë do të hapen shkollat në gjuhë sllave dhe do të futen mbiemrat e sllavizuar me mbaresen "viq" ose "iq"

-Në nëntorë 1907 në Lemajë do të zhvillohet një betejë e trieshjanevë me turq, kurse po ato vite në Tuz dhe Dinoshë do të hapen shkollat fetare islamike, kur një e Dinoshës do të jetë edhe shkolla me Mulla Arapin për të gjithë.

-Revulucjonin e Xhon-turqeve (turqit e rinjë) me 1908 malesorët do ta perkrahin duke shpresuar se ai do të sjellë demokracinë, jetë e lirë, perparim, realizimin e të drejtave nacionale-etnike, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe etj., por nuk ndolli ashtu. Turqit, nepër mes misionarëve të tyrë e tradhtuan atë dhe malesorët për të realizuar të drejtat e veta, si do të ceki Faik Konica, filluan luftën kundër shumë ujqëve, jo të sigurt se ushtarakisht do të fitojnë, por do të terhjekin vëmendjen e Europës, dhe mbas themelimit të Komitetit Nacional Shqiptarë në Podgoricë në shkurt 1911 në krye të së cilit vëndoset Sokol Baci Ivezaj dhe që drejtohej nga Nikolle Ivanaj, Kole Martini (profesor i gjuhës shqipe nga Dukagjini), Kolë Sokol Baci Ivezaj dhe me një numer të anëtareve të shquar si Dedë Gjon Luli Dedvukaj, Nikolle Soga (nga Shkodra), Luigj Gurakuqi etj.

-Komiteti për së afërmi bashkpunonte me Pater Gjergj Fishten, At Ndre Mjeden, At Jak Serreqi, Pater Bona Gjecaj, Isa Boletinin, Ismail Qemalbeu, Dodë Brajcin, Mehmet Shpendin, Aleksandro Siliqin ete tjere.

-Ne mbledhjen e Podgoricës (2-4 shkurt 1911) do të vëndoset që kryengritja do të fillojë me sigurimin e armës, afer Shën Gjergjit.
Për të realizuar këtë mislion nga ana e Komitetit angazhohen Nikollë Ivanaj (shkon në itali) dhe profesor Gjergj Pekmezi (nga Pogradeci) në Vienë , por ajo filloi me parë me 24 mars me sulmin e nje çetë të Hotit kundër kaushës turke në Brigje të Hotit.
Te nesërmën malesorët sulmojnë kaushet ushtarako-policore në kufirin me Mal të Zi si janë Porokia, Lishahu, Qafë Bokrrine, Mergjes (Vrane) si edhe ato në starre, Arzë, Rranxë të Rrases, Pllanicë etj.

-Betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deciq me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911 në të cilat u dalluan shumë persona e sidomos Tring Smailja Ivezaj.
-Gjatë luftës, gjegjësisht kryengritjës u dalluan në të madhe Dedë Gjon Luli Dedvukaj.

-Me 6 prill 1911 në një pjesë të malit Deçiq, në Bratilë, u ngrite flamuri kombëtarë-shqipëtarë e që paraqet rastin e parë mbas vdekjës së Gjergj Kastriotit me 1468, dhe është flamuri i kryengritjës shqiptarë për liri.

Me ushtrinë turke, shumë herë numërikisht më të madhe se ajo malesorë dhe më mirë e pregaditur, ushtruar dhe furnizuar, gjatë periullës së kryengritjes ullëheqen Bedri Pasha, Et'hem Pasha, Turgut Pasha, Hasan Riza Pasha, Esat Pasha Toptani dhe më në fund Abdylah Pasha që deri ater ishte nënsekretar në Ministrinë e Drejtësisë.

-KERKESAT E MALESOREVE

1.

-Me 17 nentore 1910 amnestia e pergjithshme të shtypit me iradelurdher të sulltanit
-Shërbimi ushtarak ne valetin e Shkodrës
-Mudiri i qytetit të Tuzit dhe maleve duhet të jetë shqiptar-vëndas
-Kajmakami i Malesisë duhët të jetë Kristian dhe duhet të foli shqip
-Armatimi ose çarmatimi për të gjithë njësoj
-Pasuria e konfeskuar të kthehët dhe të paguhet dëmshperblimi

2.

-Mbas formimit të Komitetit Qendrore Shqiptare në krye me Sokol Bacin (zgjidhet në kërkesën e emigrantave shkodran) dhe me sekretarë Kolë Martinaj (profesor i gjuhës shqipe) dhe Kolë Sokol Bacit (jurist) me 2-4 shkurt në fund të njëjtit muaj do të përpilohen kërkesat drejtuar qeverisë turke në Cetine, Sadradinbeut, me 30 mars, e që janë:
-Njohja dhe ruejtja e tërësisë teritoriale të tokave shqiptare.
-Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare si dhe në mësim në katër vilajetet (Shkodër, Kosovë, Janinë dhe Manastirë).
-Të gjithë nënpunësit të jenë shqiptarë dhe kombi shqiptarë të pranohet nga ana e stambollës.
-Përdorimi i të ardhurave nga viset shqiptare në dobi të këtij kombi.
-Ushtarët shqiptarë të meren dhe të dalin jashte kufinjeve vetëm në rast lufte me qeveritë e huaja.
-Këto kërkesa u nënshkruan nga 20 krerë në mesin e cilëvë janë: Sokol Baci Ivezaj (Grudë), Dedë Gjon Luli Dedvukaj (Hot), Dedë Nika Ivezaj (Grudë), Gjeto Mark Ujka (Hot) si dhe Martin Preka (Triepsh)

3.

-Gjatë kryengritjes, kurë Turgut Pasha kërkonte dorëzimin e pakusht të malesorevë dhe kur gjyqi ushtarak dënoi udhëhëqësit kryësorë, krerët e Malesisë të mbledhur në Pikalë (pranvere 1911) perpiluar edhe një listë
-kërkesë që drejtohet turqisë, e në të cilën kërkuan: Autonominë e tokrave shqiptare, lirinë, hapjen e shkollave, dëmshperblimet etj.
-Në mbledhje muarën pjesë ndër të tjerë , Dedë Gjon Luli Dedvukaj, Mehmet Shpendi, Dodë Preci, Dedë Nika Ivezaj, Gjeto Mark Ujka Juncaj e shumë të tjerë.


4.

-Ndër kërkesat, apo memorandumet me më zë të malesorevë eshte "Libri i Kuq" i përpiluar nga Luigj Gurakuqi dhe të tjerët, qe u miratua në Kuvendin e Grecës , me 23 qershore 1911, po ashtu i drejtuar opinionit europian, gjegjësisht të përmendurit Eduard Grej, që ateherë konsiderohej ndër diplomatët më lidër të Europës.
Kërkesat e "Lordeve të Malesise", siç i quante R.Rankin, korrespodent i "Tajmsit" dhe "Çikago Herald Tribujn", krerët malesorë janë të përfshirë në 12 pika:

-Garanti nga ana e qeverisë së Stambollës se nuk do të përsëritet veprimtari të tilla, respektimi i religjionit, traditës dhe zakoneve të vjetra kanunore të garantuara me kushtëtutë.
-Njohja e plotë e kombit shqiptarë me të drejtat si çdo komb tjetër.
-Liri e plotë e kombit shqiptar për të zgjedhur deputetët e vetë.
-Liria e plotë e mësimit në gjuhë shqipe, hapja e shkollave shqipe me te drejtat e barabarta me shkollat tjera në Qeverine Turke.
-Autonomia dhe organizimi decentralist administrativ i vilajeve ku ndollen shqiptarët. -Zgjedhja e valiut dhe nenpunësve, zyrtarëve e të tjerëve që dinë gjuhën shqipe dhe zakonet e vëndit.
-Kajmakani i Tuzit, atëherë kryeqëndër e Malesisë, të jetë shqiptarë.
-Përcaktimi i një përfaqsuesi, inspektorit të përgjithshem të Sulltanit.
-Përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe të pranohet si gjuhe zyrtare, pran gjuhës turke.
-Shërbimi ushtarak në vënd të vet dhe e drejta që ata të shërbejne në besimin (fenë) dhe zakonet e veta.
-Të ardhurat të angazhohën në dobi të vëndit të vetë, përveç takses doganës (gjymrykut), të ardhurat nga duhani dhe alkoholi, shfrytëzimi i pyjëve, kullotave e tjera.
-Të drejtat për keshillime në lidhje me buxhetin e vilajetit.
-Formimi i fondeve të nevojshme dhe grumbullimi i të hollave për rindërtim e shtëpive, ndertimin e rrugave, dëmshperblimin për shkatërrimet e bëra.
-Formimi i komisionit të përzier për mundësimin dhe sigurimin për ata që kthehën në vënd dhe realizimin e dëmshperblimeve.

-"Libri i Kuqe" (Menorandumi i Greces) është shkruar shqip dhe frengjisht e nënshkruhet nga Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjon Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preci (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selce), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikc), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shale), Avdi Kola (Gimaj), Nike Mehilli (Shllak), Tup Cuni (Prekali), Binak Lulashi (Toplane), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin).

-Malesorët filluan dhe zhvilluan kryengritjen të vetdijshëm se nuk kane mundësi dhe forcë të mposhtin turqit, por të bindur se do të ndikojnë në përmirsimin e pozitës së tyre dhe të bindin opinionin demokratik europian në zgjedhjen e problemit të shqiptarëvë.
Ajo bëri që Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Tuzi, të jenë në pikevemendjen e Europes, dha figurat e mëdha të shqiptareve, Dedë Gjon Lulin dhe Tringe Smajlja Ivezaj , e posaçërisht Kuvendi i Gerces bëri që europa të fillojë të mëndojë me më kujdes për të biseduar me urti, gjakëftoftësi, durim, e që janë cilësi traditën , idenë për fitim etj


-Mbas ngritjes së flamurit në Vlore me 28.11.1912 - nga 16 dhjetore 1912 deri me 2 gusht 1913 u mbajte konferenca e ambasadoreve në Londër me pjesmarrjen e fuqive të mëdha.
-Me 17 dhjetorë u vëndosë që të formohet Shqipëria e lirë dhe e pavarur.
-Me mbledhje udhëheqte Eduard Grej Kryeministri anglez.
-Mbas planeve dhe projekteve të shumta në fillim të marsit 1913 fuqitë e mëdha vëndosen që Hotin dhe Fudnen t'ja japin Malit të Zi si dhurate dhe kështu Malesia përsëri u nda në dy pjesë.
-Në maje 1913 malesorët do të organizojnë demonstratat në Tuz dhe Shkodër, por pa sukses.
Me 29 korrik 1913 fuqite e mëdha do të prënojne Shqiperinë në gjirin e shtetëve të pavarura.
-Kufirin shtetërore shqiptaro-malazez do ta vendosi Komisioni Nderkombetare Rus Sergej Potapov.
-Me 1912 Tuzi do të shpallet Kapetani, kurse me 1914 do të formohen komunat:
Tuz, Rapshe, Traboin dhe Grude e më vonë edhe Vrane.
Po të njëjtën kohe në Tuz do të hapen shkollat në gjuhën shqipe (nuk do të punoj) dhe serbe.
Me 1916 në Triepsh, Priften, Dinoshë, Tuz dhe Hot do të hapen shkollat shqipe me mësues nga fshati Arbanasi afer Zares (Dalmaci-Kroaci), në mësin e tyre ishin edhe Josip Rela dhe Josip (Zef) Duka.
-Në mes të dy luftërave botërore në Malesi nuk ka shkolla shqipe (Hot, Grudë, Triepsh dhe Kojë) por ato do të hapen mbas luftës së dyte botërore.


-Sot veprojnë katër shkolla tetëvjeçare (Tuz, Skorraq, Stjepoh dhe Dinoshe) dhe gjimnazi në Tuz.

Fotografi historike me malsorët si dhe disa nga natyra e Malësisë

Dedë Gjon Luli me të birin Kolën


                                               
                                           Krerët e Malësisë
                                            Dedë Nika
       


                                        Miss Edith Durham me Kryengritsit
                                                                  Krreret e Grudes

                                              Smail Martini Ivezaj

                                                                Tringa e Smajlit-e Grudes
                                                                        Grude 1913

                                                         Lugina e Cemit- nga larte
http://www.youtube.com/watch?v=DcUBh9GJNYg
Një videoklip për Tuzin dhe Malësinë